Biljana Stefanovska Sekovska: Unë jam diplomatja e parë maqedonase e trajnuar në Gjermani
Zonja Biljana Stefanovska Sekovska është ambasadorja aktuale e Maqedonisë së Veriut në Australi dhe Zelandën e Re dhe diplomatja e parë femër e vendit e cila është trajnuar në Akademinë për diplomaci në Bon dhe Berlin.
Dhe kështu e përjeton ajo 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve:
“30 vjet marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve janë një përvjetor i rëndësishëm dhe një mundësi e bukur për t’u kthyer në hapat e parë të bashkëpunimit, veçanërisht kur je aty që nga fillimi.
Në vitin 1992, Ministria e Punëve të Jashtme nisi një program trajnimi për diplomatët e rinj nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në kuadër të Akademisë së saj për diplomaci në Bon dhe Berlin. Edhe para vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike, programi ishte i hapur për diplomatët nga Republika e re e pavarur e Maqedonisë, e cila sapo kishte filluar të ushtronte politikën e saj të jashtme dhe të ndërtonte rrjetin e saj diplomatik. Kështu, në fillim të vitit 1993, u përzgjodha si diplomatja e parë femër e ministrisë për të marrë pjesë në këtë kurs trajnimi gjashtëmujor të financuar nga qeveria federale. Në vitet që pasuan, shumë kolegë të mi u bënë pjesë e këtij programi. Gjermania e dinte se vetëm diplomatë të trajnuar mirë dhe profesionistë mund të përfaqësonin me sukses vendin e tyre në botë dhe pa u kursyer e transmetuan përvojën e tyre të çmuar në këtë fushë.
Do të doja të veçoja dy ngjarje nga trajnimi me të cilat erdhi në shprehje mbështetja e Gjermanisë për t’u ngritur në organizatat ndërkombëtare. E para është takimi me ministrin e Jashtëm të atëhershëm Klaus Kinkel, i cili vuri në pah politikën dhe angazhimin e Gjermanisë për të bërë sa më shumë që të jetë e mundur për të kapërcyer bllokadën që qëndroi në rrugën e njohjes tonë më të gjerë ndërkombëtare. Një politikë që vazhdon të qëndrojë edhe sot e kësaj dite. Momenti i dytë është pranimi ynë në Kombet e Bashkuara më 8 prill të po këtij viti, kur u gëzuam së bashku me kolegët tanë gjermanë në Berlin dhe e festuam këtë moment me urime për marrëdhënie të suksesshme dypalëshe në të ardhmen. Si alumni, kam pasur mundësinë në disa raste të marr pjesë në programet e qeverisë federale për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve diplomatike.
30 vjet më vonë, jemi dëshmitarë të bashkëpunimit dhe miqësisë së gjerë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në shumë fusha, me perspektivë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme të ndërsjella.