Kneginja Rihter (Richter), mjeke: “Jam person që krijoj rrjete”
Kneginja Rihter, e lindur në Shtip, Maqedoni e Veriut, studioi mjekësi në Shkup dhe më pas punoi atje për tre vjet si vullnetare në neuropsikiatri në spitalin universitar. Përmes një burse nga DAAD, ajo kaloi një vit si mjeke vizitore në Klinikën e Neurologjisë në Universitetin Friedrich-Alexander në Erlangen-Nyrnberg. Pas përfundimit të doktoratës, ajo punoi në klinika të ndryshme dhe ishte mjeke e lartë në Klinikën e Nyrnbergut për 20 vjet, në Universitetin Privat të Mjekësisë, Paracelsus. Aty i kreu edhe studimet post-doktorale (habilitimin).
Kneginja Richter ka qenë mjeke kryesore në fushën e psikosomatikës dhe mjekësisë së gjumit në Klinikën Ditore CuraMed në Nyrnberg që nga viti 2022 dhe gjithashtu ka qenë profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Teknologjisë në Nyrnberg që nga viti 2011. Paralelisht me punën e saj si doktoreshë dhe profesoreshë, ajo ka qenë e përfshirë në partneritetin e qyteteve Nyrnberg-Shkup për shumë vite. Falë kësaj, ajo e zbuloi Nyrnbergun për vete dhe këtu e gjeti qendrën e jetës së saj.
“Fakti që Gjermania që në fillim kishte kuptim për mua, kishte të bëjë me babain tim. Ai ishte mjek në Mönchengladbach për tetë vjet, i specializuar në tuberkuloz dhe mjekësi speciale pulmonare. Aty e vizitoja rregullisht me familjen time. Kështu më erdhi që gjithmonë ishte ideale për mua të punoja si mjek në Gjermani. Nyrnbergun e njoha pastaj më vonë përmes të dashurit tim në atë kohë. Ai ishte artist dhe ekspozoi veprat e tij këtu disa herë në kuadër të partneritetit të qyteteve. E kam shoqëruar atë në udhëtimet e tij dhe në këtë mënyrë u njoha me njerëz vendas, psh. B. me Werner Trini, themeluesin e partneritetit të qyteteve, Joakim Blajshtajn (Joachim Bleistein), i cili organizonte shkëmbimin e artit, dhe me Dr. Gerhard Kryger (Dr. Gerhard Krüger), Konsulli i sotëm i Nderit i Maqedonisë së Veriut. Nuk ishte rastësi që përfundova në Nyrnberg. Kam aplikuar konkretisht sepse tashmë kisha disa kontakte të mira në qytet. Ata më ndihmuan shumë pasi e mora bursën. Në fillim isha krejtësisht vetëm.”
Partneriteti midis Nyrnbergut dhe Shkupit është ende e një rëndësie të madhe për Kneginja Rihter sot. Në vitin 2003, Organizata Botërore e Shëndetësisë filloi një projekt, qëllimi i të cilit ishte përmirësimi i kujdesit të atëhershëm katastrofik për njerëzit me sëmundje të rëndë mendore në Maqedoninë e Veriut. Për këtë qëllim, OBSH-ja iu drejtua qyteteve partnere të Shkupit. Kur Kneginja Rihter u pyet nga kryemjeku i saj i atëhershëm, Prof. Gynter Niklevski (Prof. Günther Niklewski), nëse do të ishte e interesuar të punonte në këtë projekt, ajo menjëherë pranoi. Për të ishte e rëndësishme të rilidhej me atdheun e saj dhe të mund të kontribuonte diçka. Që nga ajo pikë kohore ajo është konsulente e OBSH-së për Maqedoninë e Veriut.
“Unë jam një person që krijoj rrjete dhe punoj gjerësisht me njerëz të tjerë. Përmes projektit në fjalë, arritëm të themelojmë tri qendra ditore për personat e sëmurë mendorë në Maqedoninë e Veriut. Në fillim, të sëmurët mendorë strehoheshin në klinika këtu për 10 deri në 20 vjet. Thjesht mungonin qendrat ditore që do t’u mundësonin njerëzve të ri-integroheshin në jetë. Si pjesë e projektit, një bashkëpunim me Spitalin Universitar të Psikiatrisë në Shkup, rreth 50 punonjës nga fusha e shëndetit mendor erdhën në Nyrnberg për të përfunduar trajnimin dhe për të fituar përvojë praktike. Në këtë mënyrë, ata mësuan se si të ngrinin qendra të tilla të ambulancave dhe më pas, në një hap të mëtejshëm, për të menduar se si mund të zbatohej kjo në Maqedoninë e Veriut.”
Pas përfundimit të projektit të OBSH-së, Kneginja Rihter u përfshi në shumë çështje të tjera. Kryesisht kjo ka të bëjë me projektet që ajo inicion për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të sëmurë mendorë, por edhe me mësimdhënien universitare në Maqedoninë e Veriut. Kështu, në vitin 2006, ajo themeloi Klubin Nyrnberg-Shkup dhe mblodhi donacione për të krijuar dy kompani në Shkup, në të cilat mund të punojnë të sëmurët mendorë. Në këtë mënyrë u krijua një parukeri dhe një kompani pastrimi, ku të sëmurëve për herë të parë iu dha mundësia të punonin dhe të fitonin para. Me donacionet shtesë u financua një strehim për gratë viktima të dhunës. Ajo gjithashtu ka punuar në një projekt të madh të DAAD-së me Prof. Gertraud Myler (Prof. Gertraud Müller) dhe Institutin për Punë Sociale Nënë Tereza. Si pikë të fundit të rëndësishme Kneginja Richter e përmend mbështetjen e artit. Shoqata e saj organizon rregullisht ekspozita arti në të cilat ekspozohen dhe shiten veprat e të sëmurëve mendorë.
“Paralelisht me këto projekte, jam edhe profesoreshë në fushën e mjekësisë së gjumit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Goce Dellçev në Shtip dhe trajnere në laboratorin psikiatrik të gjumit në Spitalin Universitar në Shkup. Shumë nga botimet e mia shkencore janë krijuar në bashkëpunim me kolegët dhe koleget e mia. Disa prej tyre i kam mbështetur për studimet e doktoratës në Klinikën e Nyrnbergut. Vërtetë mbizotëron një shkëmbim i gjallë dhe jetik!”