Frank Stößel

Frank Shtësel (Stößel), shef i departamentit të kulturës në Ambasadën Gjermane në Shkup: Diplomati që udhëton me biçikletë

Frank Shtësel (Stößel), i lindur në vitin 1966, studioi të drejtën e financave dhe tatimeve dhe ka punuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme që nga fillimi i viteve të 90-ta. Sot ai jeton dhe punon në kryeqytetin e Namibisë Vindhuk (Windhoek). Pozicionet e mëparshme profesionale përfshijnë Mauritaninë, Trinidad dhe Tobago, Kazakistanin, Afrikën e Jugut dhe natyrisht Maqedoninë e sotme të Veriut, ku ka punuar në Ambasadën Gjermane në Shkup nga viti 2009 deri në vitin 2013, fillimisht si zyrtar kulture, dhe pas dy vitesh si udhëheqës i departamentit të kulturës. Para së gjithash, hyrjen e tij në këtë pozicion shumë njerëz e mbajnë mend akoma me kujtime të bukura, teksa Shtësel kaloi me biçikletë 2500 kilometra nga Berlini në Shkup.

“Në vitin 2008 kisha bërë tashmë një turne më të gjatë me biçikletë për në Odessa, kështu që tanimë e kisha praktikuar mirë. Përmes një udhëtimi të tillë, njeriu ka mundësinë të njohë mirë vendin, pasi që lëviz shumë ngadalë. Gjithashtu fitohet një ndjenjë shumë më e mirë për distancën. Gjatë udhëtimit për në Shkup, që më zgjati 3 javë e gjysmë, nuk e dija fare se ku do ta kaloja natën në mbrëmje. Për nga kondicioni, gjithçka shkoi mirë. Gjithashtu zgjidhja qëllimisht rrugët përgjatë lumit sepse ka më pak pjerrësi atje dhe këto pjesë zakonisht janë me plot histori. Jashtëzakonisht të bukura ishin Porta e Hekurt, depërtimi e Danubit, pasi ka mure të thepisura disa qindra metra të larta. Kjo ishte sigurisht pjesa më interesante për sa i përket peizazhit.”

Ardhja në Shkup ishte disi spektakolare, pasi ambasada e kishte njoftuar paraprakisht televizionin dhe mediat e tjera. Dhe kështu një ekip televiziv po e priste tashmë Frank Shtëselin kur ai arriti në ambasadë me biçikletë. Ai u intervistua menjëherë dhe përfundoi në lajme po atë mbrëmje. Një pritje shumë e bukur, siç thotë ai. Mbi të gjitha, raportimi dhe interesimi mediatik i hapi atij shumë dyer. Shumë njerëz në Shkup, duke përfshirë kolegë nga ambasadat e tjera, kishin dëgjuar tashmë për të dhe e dinin menjëherë se ai ishte diplomati që udhëton me biçikletë. Ai e përshkruan periudhën e tij në Shkup si një nga më të mirat e karrierës së tij, sepse ai ishte në gjendje të realizonte shumë projekte interesante këtu.

“Sapo mbërrita, ishin të ashtuquajturat Javët e Gjermanisë. Përmes një kolegeje kisha mundësinë që në kuadër të kësaj të gatuaj për televizionin. Një vit më vonë e vazhduam përsëri dhe botuam një libër gatimi gjermano-maqedonas. Në ambasadë kemi një koncept shumë të gjerë të kulturës, aty përfshihet kulinaria dhe mbi të gjitha mbështetja e sportit. Dhe kështu transmetojmë ngjarje të shumta sportive, Kampionatin Evropian të Futbollit dhe Kampionatin Botëror, si dhe lojëra të shumta hendbolli, të cilat gjithmonë ndiqen jashtëzakonisht shumë. Në fund të kohës sime në Maqedoni, madje kam organizuar një garë ndërkombëtare biçikletash rreth liqenit të Ohrit. Dhe ne gjithashtu arritëm tek shumë njerëz përmes një festivali gjerman të filmit që e morëm dhe zgjeruam nga Goethe-Instituti. Ishin gati 600 njerëz në kinema për filmin “Shqiptari” (der Albaner) nga Johanes Naber (Johannes Naber).”

Shtësel (Stößel) e shikon me dashuri të jashtëzakonshme bashkëpunimin me partnerët maqedonas. Duke qenë se nuk kisha punuar në periudha afatgjatë në terren, shumë shpejt dhe spontanisht kemi mundur të realizojmë disa projekte. Ambasada ka qenë e përfshirë dhe ka mbështetur ngjarje të shumta kulturore, herë pas here edhe në bashkëpunim me qytetet partnere Nyrnberg dhe Drezden.

Qytetet partnere gjermane të Shkupit dhanë gjithashtu ndihmën e vet në tregun vjetor të Krishtlindjeve të Ambasadës. Nga Drezdeni i morëm biskotat e Krishtlindjeve (Christstollen), nga Nyrnbergu verë të zier dhe birrë. Nëpërmjet kompanisë së autobusëve, e cila e furnizoi tregun e Krishtlindjeve me produkte tipike gjermane, Shtësel (Stößel) u miqësua edhe me një çift gjermano-maqedonas, të cilëve ai u referohet me dashuri si „gjyshërit rezervë“. Ata ende e vizitojnë rregullisht atë dhe gruan e tij, kështu që lidhja me vendin vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe ai dhe familja e tij vazhdojnë të shijojnë kuzhinën maqedonase.