Georgi Šareski

Georgi Shareski, muzikant dhe kompozitor: “Në Berlin kisha ndjenjën se jam në vendin e duhur”.

Georgi Šareski, i lindur në Shkup në vitin 1983, studioi xhaz-kompozim dhe aranzhim në Kolegjin e Muzikës Berklee në Boston. Që nga diplomimi në vitin 2005, ai ka publikuar nëntë bartës të tonit, ka kompozuar dhe aranzhuar pjesë muzikore për grupe dhe formacione nga më të ndryshmet dhe është shfaqur si muzikant në skena të panumërta. Mbi 100 kompozime të tij përfshijnë edhe ato për teatrin, dokumentarët dhe video-instalimet. Ai erdhi në kryeqytetin gjerman për herë të parë në vitin 2009 përmes një projekti të Teatrit Kombëtar të Maqedonisë së Veriut.

“Në atë kohë kishte një bashkëpunim me “Neukölln Opera”, një ambient shumë i bukur për të performuar në Berlin. Isha vetëm disa ditë atje, por menjëherë u dashurova me qytetin. Ishte një atmosferë shumë e këndshme, një hapje e madhe ndaj artistëve, më dukej. Në vitin 2013 lindi një projekt tjetër me “Neukölln Opera”, një shfaqje e quajtur “Drejt perëndimit” (Westwärts), në të cilën isha në skenë si muzikant me dy kolegë të mi nga Shkupi. U ktheva në Berlin në vitin 2014 më shumë për arsye personale dhe më pak për arsye profesionale dhe, me një ndërprerje të qëndrimit tim njëvjeçar në Kinë, jetova këtu me gruan time të atëhershme deri në vitin 2019.

Kur u transferua në Berlin, Shareski fillimisht planifikoi të ndiqte projekte të mëtejshme në sektorin e teatrit. Por doli se nuk ishte aq e lehtë për të marrë angazhime të këtij lloji në vend. Dhe kështu ai u përqendrua më shumë të jetë me grupe dhe ansamble të tjera dhe të themelojë grupin e vet. Personi që e kishte shoqëruar që nga fillimi në Berlin dhe e kishte ndihmuar shumë ishte muzikanti gjerman Boris Bell. Të dy ishin njoftuar një vit më parë në premierën e “Westwärts”.

“Borisi bëri të mundur hapjen e shumë dyerve për mua. Kisha lejen të përdorja dhomën e tij të provave dhe pajisjet dhe nëpërmjet tij hyja në koncerte. Kështu që hasa në muzikë që akoma nuk e njihja, shumica prej tyre ishin novatore. Dhe gjithashtu më pëlqeu shumë puna e tij përtej kufijve si muzikant dhe kompozitor. Performimi me të më bënte shumë të lumtur e që ishte diçka krejtësisht e re për mua, sepse zakonisht gjithmonë isha vetë lideri i bendit. Ndërsa tani e ndaja këtë detyrë me Borisin.”

Së bashku me basistin finlandez që jetonte në Berlin, Antti Virtaranta, Shareski dhe Bell themeluan gjithashtu treshen e INSTINCTS. Ky formacion tashmë ka performuar së bashku në Serbi, Kroaci, Maqedoni të Veriut dhe Gjermani. Pak muaj më parë tre muzikantët regjistruan diskun e tyre të dytë, i cili aktualisht është duke u miksuar. Incizimet u bënë në një vend të vogël afër Rathenow, ku Bell tani jeton në një fermë, i shkëputur qëllimisht nga pjesa tjetër e botës.

https://www.youtube.com/watch?v=by6N6UWrbVs

Përveç kësaj treshe, Georgi Shareski ndjek edhe një tjetër projekt muzikor që e lidh atë me Gjermaninë dhe siguron që ai të jetë gjithmonë në vend për koncerte apo incizime: një bashkëpunim me harmonikistin Marko Jovanoviq. Muzikanti, i cili vjen nga Mynihu, ka mbi dhjetë vjet që jeton në Berlin dhe këtu themeloi “Harmonica School Berlin”. Të dy u njohën në një koncert në rrugë në Kreuzberg. Vitin e kaluar ata incizuan një album të përbashkët në Shkup të quajtur “Big Love”. Me këtë kishin bërë shumë udhëtime, ndërsa në të ardhmen do të pasojnë edhe paraqitje të tjera të shumta.