Kica Kolbe

Kica Kolbe, filozofe dhe shkrimtare: “Unë kryej një funksion e një ure ndërlidhëse”

Kica Kolbe, e lindur në vitin 1951, studioi filozofi, histori arti dhe letërsi në Shkup dhe Beograd. Pas përfundimit të doktoratës dhe mësimdhënies së estetikës për disa vite në Universitetin e Shkupit, ajo emigroi në Gjermani në mesin e viteve të 1980-ta. Që atëherë, ka shkruar ese e monografi të shumta, si dhe tregime e novela, mbi temat qendrore të saj: traumat e luftës dhe migrimi.

Kjo filozofe dhe shkrimtare është anëtare e Komisionit maqedono-greke të librave shkollorë të themeluar në vitin 2018 dhe autor i një rubrike javore për Deutsche Welle. Ajo aktualisht është duke punuar për romanin e saj të gjashtë, i cili mban titullin Arkeologjia e Luftës. Edhe pse ajo i shkruan veprat e saj akademike, letrare dhe publicistike në gjuhën maqedonase, gjuha dhe letërsia gjermane kanë një ndikim të rëndësishëm në të menduarit dhe shkrimet e saj.

“Gjuhën gjermane e kam mësuar kryesisht duke lexuar libra të filozofisë dhe letërsisë gjermane. Ajo ishte shkolla ime. Kur bëhet fjalë për tekstet e mia, shpesh më thonë se gjuha ime është shumë e qartë dhe e përpiktë. Mendoj se ky është ndikimi i gjuhës gjermane, e cila është e strukturuar shumë logjikisht. Ajo më ndihmoi të zbuloja maqedonishten time amtare si gjuhë të prozës dhe ta përvetësoj atë. Për shembull, kam përdorur kompozime si “riatdhesimi” ose terma si “filozofe” (në vend të “grua filozof”) shumë kohë përpara se këto të bëheshin të zakonshme në maqedonisht. Shkëndija fillestare për një tekst, siç janë skicat dhe draftet e para, mund të ishte një ide ose një fjali, zakonisht ishte në gjermanisht,. Megjithatë, gjatë punës sime e ndërroj gjuhën. Forma e saktë, muzikaliteti dhe ritmi i gjermanishtes, e gjithë kjo më çon kah maqedonishtja.”

Filozofia dhe kultura gjermane e kujtimit u treguan si të dobishme dhe produktive në lidhje me temat jetësore të traumës së luftës dhe mërgimit. Mbi të gjitha, klima gjermane në fushën e pajtimit midis popujve e inkurajoi që herët të pyeste veten se çfarë bagazhesh mbante me vete nga biografia e saj. Kica Kolbe lindi dy vjet pas Luftës Civile Greke, në një strehë refugjatësh afër Shkupit, ku strehoheshin familjet e prindërve të saj pasi ata ikën nga Greqia veriore përtej kufirit për në Jugosllavi.

“Në vendet socialiste, rrëfimet historike ishin shumë heroike. Temat e vështira ose të brishta politike ishin thjesht tabu dhe nuk flitej mbi historinë e refugjatëve. Përmes Shkollës së Frankfurtit, Benjamin dhe Adorno, por edhe përmes teorive të kujtesës kulturore nga Aleida dhe Jan Assmann, gjeta një paradigmë për të vënë në kontekst atë që nuk do të ishte e mundur në Jugosllavi në atë kohë. Në librin tim Egjeanët (Të ardhurit nga Egjeu) – një tekst hibrid, eseistik që tani konsiderohet si një vepër standarde – trajtoj atë që do të thotë të jesh refugjat. Bëhet fjalë kryesisht për imazhet e të tjerëve dhe për transmetimin e traumës. Këto tema i trajtoj edhe në tregimet dhe romanet e mia. Shpesh bëhet fjalë për njerëz që jetojnë mes dy kulturave, duke kërkuar identitetin dhe përkatësinë. Ata janë njerëz si unë që kryejnë funksionin e një ure ndërlidhëse mes dy vendeve.”