Roland Schmieger

Roland Shmiger (Roland Schmieger), interpretues dhe përkthyes: „Presidenti aspak nuk e kishte pritur që t’i përgjigjeshin në maqedonisht.“

Roland Shmiger (Roland Schmieger), i lindur në Berlin në vitin 1965, studioi sllavistikën në Mynih, Vjenë dhe Shkup dhe doktoroi me një punim mbi dialektologjinë maqedonase. Në vitin 1992 ai iu bashkua shërbimit gjuhësor të Ministrisë së Jashtme si interpretues dhe përkthyes për gjuhën bullgare dhe maqedonase dhe punoi në Ambasadën Gjermane në Sofje për gjithsej 13 vjet. Në vitin 2015, së bashku me gruan e tij Nina Dimitrova-Schmieger, botoi Fjalorin e madh Gjermanisht-Maqedonisht me katër vëllime, fjalori më gjithëpërfshirës i këtij lloji. Deri në vitin 2017 Roland Shmigeri në mënyrë aktive ka punuar si interpretues dhe përkthyes, pastaj u bë udhëheqës i shërbimit gjuhësor të Ministrisë së Jashtme. Për pak më shumë se dy vjet ai e udhëhoqi tërë shërbimin gjuhësor të ministrisë. Interesimi i tij për gjuhët sllave u zhvillua qysh herët.

“Kur isha fëmijë në vitet 1970, fillimisht shkova me pushime në Jugosllavi, atëherë në bregdetin kroat. Gjuha më magjepsi shumë dhe nuk e lashë anësh kurrë. Shumë më vonë, në vitet e fundit të gjimnazit, mu ofrua mundësia për të mësuar rusisht, të cilën e pranova me shumë entuziazëm. Në këtë kohë fillova të kem dëshirë të studioja sllavistikën. Në të njëjtën kohë mësova edhe greqisht dhe isha në një universitet veror në Selanik. Më pas u nisa me makinë drejt liqeneve të Prespës. Aty zbulova se kishte fshatra të tëra ku thuajse nuk flitej greqisht amtare, por vetëm maqedonisht. Në grupin tim në universitetin veror ishte edhe dikush nga Shkupi, të cilit i kërkova të më dërgonte një libër shkollor dhe një fjalor në Gjermani. Fillimisht mësova maqedonisht përmes vetë-studimit”.

Shmigeri i thelloi aftësitë e tij gjuhësore gjatë studimeve të sllavistikës por edhe gjatë një viti shkëmbimi që kaloi në Shkup. Nga viti 1992 e më tej paralelisht me doktoratën e tij punoi edhe si përkthyes në shërbimin gjuhësor të Ministrisë së Jashtme. Ai u punësua kryesisht për përkthime në gjuhën bullgare. Megjithatë, meqenëse ai gjithashtu fliste maqedonishten dhe vendi sapo ishte bërë i pavarur në atë kohë, pati nderin e madh të interpretonte bisedën e parë zyrtare politike të nivelit të lartë midis Gjermanisë dhe Ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë: një bisedë telefonike midis Helmut Kohl dhe Presidentit maqedonas Kiro Gligorov. Presidenti ishte krejtësisht i habitur që nuk iu përgjigj në serbo-kroatisht por në maqedonisht.

“Në vitin 1999 e kam shoqëruar edhe Gligorovin në vizitën e tij shtetërore në Gjermani. Fillimisht ishim në Berlin për bisedimet aktuale politike, pastaj shkuam në Dyseldorf (Düsseldorf), ku donim të takoheshim me presidentin e zgjedhur tashmë federal Johannes Rau. Gligorovi po qëndronte në një hotel në Petersberg në Bon. Nga të gjitha anët i thanë se duhet të dilte patjetër në tarracë për të shijuar pamjen e mrekullueshme të luginës së Rajnës. Megjithatë, ai e huqi një shkallë, u ngatërrua dhe u rrëzua aq keq sa iu thyen dy gishta. Unë kisha qenë në detyrë atë ditë dhe nuk kisha ngrënë asgjë, por duhej të shkoja në spital me Presidentin për të interpretuar bisedat me mjekët. Skajet e kockave u kthyen në pozicionin e tyre dhe dejtë i rregulluan me piskatore. Kaq më kujtohet. Dhe kur më në fund ishte kryer përkujdesja ndaj presidentin, unë u zgjova nga të fikët në dhomën tjetër.”

Gjatë punës së tij si interpretues dhe përkthyes, Roland Shmigerit iu desh të bënte shumë kërkime dhe të njihej me tema nga më të ndryshmet. Dikur ai vendosi t’i përmbmbledhë këto njohuri së bashku me gruan e tij dhe të shkruajë një fjalor gjermanisht-maqedonisht. Ky “nënprodukt” i punës së tij të përditshme doli të ishte një projekt shumë më i madh se sa ishte planifikuar fillimisht.

“Kemi punuar për rreth 20 vjet në total dhe në fund u bë një vepër e madhe me katër vëllime. Më parë kishte vetëm një fjalor të vogël nga periudha e Jugosllavisë dhe gjatë punës sonë u botua një libër disi më i gjerë i Peter Rau dhe Ranka Grçeva. E nisëm projektin në vitin 1995 dhe vëllimet u botuan në vitin 2015. Diçka, me çfarë njeriu merret në kohën e lirë!”.